Здружение на новинарите на Mакедонија
Членка на Mеѓународната федерација на новинари IFJ
Основано 1946

U mbajt uebinari me temë: “Shkëmbimi i njohurive dhe praktikave për shpifje dhe fyerje si parakusht për ndryshime cilësore në ligjin aktual”

ZNM
Monday, der 11. May 2020Monday, der 11. May 2020/ Monday, der 11. May 2020

Më 30 prill, të vitit 2020, u mbajt uebinari me temë “Shkëmbimi i njohurive dhe praktikave për shpifje dhe fyerje në Maqedoninë e Veriut si parakusht për ndryshime cilësore në ligjin aktual” (PJESA 1).

Në këtë uebinar morën pjesë gazetarë që kanë përvojë në mbulimin e temave lidhur me shpifjen ose vetë kanë qenë pjesë e proceseve të tilla; gjyqtarët nga gjykatat civile në Maqedoninë e Veriut dhe avokatët me përvojë në fushën e lirisë së shprehjes. Përveç tyre, në uebinarin morën pjesë edhe trajnerë të certifikuar të JUFREX-it, të cilët njohin mirë standardet e Këshillit të Evropës.

Tema kryesore e bisedës ndërmjet pjesëmarrësve ishte Ligji për Përgjegjësinë Civile për Shpifje dhe Fyerje dhe praktika e palëve të interesuara në zbatimin e këtij ligji. Duke marrë parasysh që shumica e pjesëmarrësve kanë pasur përvojë praktike me zbatimin e këtij ligji, kjo lejoi që të zhvillohej një debat konstruktiv, ku u shkëmbyen përvoja dhe informata mbi zbatimin e këtij ligji, si dhe për ndryshimin dhe plotësimin e tij në të ardhmen.

Uebinarin e hapi Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Dragan Sekullovski, i cili në fjalën e tij hyrëse përshëndeti të pranishmit, prezantoi agjendën dhe njoftoi tre folësit: gazetaren Meri Jordanovska, gjyqtaren Keti Germanova dhe avokatin Lazar Sandev. Përveç kësaj, Sekullovski hapi diskutimin duke theksuar se Ligji për përgjegjësinë civile për shpifje dhe fyerje duhet të ndryshohet, dhe kjo pritet të ndodhë gjatë muajve maj dhe qershor të këtij viti. Sekullovski theksoi se pasi që u derkriminalizuan shpifja dhe fyerja, numri i lëndëve është zvogëluar dukshëm. “Qëllimi është që shpifja dhe fyerja të mos shërbejnë si instrument i shtetit për të bërë presion ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatik sepse kjo ndikon negativisht në lirinë e shprehjes,” tha Sekulovski.

Para se të fillonin me fjalimet e tyre tre folësit, të pranishmëve iu drejtuan gjithashtu Natasha Gaber-Damjanovska, Drejtorja e Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, Mlladen Çadikovski, Kryetar i SHGM-së, dhe Aleksandra Bogdanovska, Senior projekt oficer i Programit të Këshillit të Evropës në Shkup .

Gaber Damjanovska tha se në kohë të pandemisë, kur qytetarët kalojnë mjaftë kohë në shtëpitë e tyre dhe ndjekin vazhdimisht mediat, përgjegjësia e gazetarëve është edhe më e madhe. “Në atë kuptim, unë besoj se çdo legjislacion i mirë kombëtar duhet të ofrojë një ekuilibër të arsyeshëm midis nevojës për të mbrojtur dhe promovuar lirinë e shprehjes së qytetarëve, së bashku me aftësinë e mediave për të raportuar lirshëm për çështjet që janë me interes publik. Përkundër kësaj duhet të mbrohet nderi dhe reputacioni i dikujt nga shpifja dhe fyerja duke respektuar etikën profesionale”, tha ajo, duke shtuar se zbatimi i ligjit në asnjë mënyrë nuk duhet të çojë në efektin e padëshiruar të vetë-censurimit te gazetarët.

Kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski tha se situata me të drejtat dhe liritë e mediave është jashtëzakonisht e ndërlikuar në vendin tonë dhe se ka shumë sfida dhe probleme që mbeten për t’u zgjidhur në këtë nivel. “Një nga angazhimet tona është të zgjidhim shpifjet dhe fyerjet përmes mekanizmave të vetë-rregullimit,” tha Çadikovski. Në këtë drejtim, Çadikovski theksoi se kjo është arsyeja pse u krijua Regjistri i Online Mediave Profesionale (Promedia.mk), sepse sipas statistikave, Kodi i Etikës më së shpeshti shkelet në median online. Sipas Çadikovskit, sot ka rreth 35 padi për shpifje dhe fyerje para gjykatave civile në Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi se Shoqata e Gazetarëve shpesh u bën apel gjyqtarëve që ndëshkimet për gazetarët për këto dy vepra të jenë minimale dhe të mos përfshijnë burgim ose gjobë të lartë që gazetarët nuk do të mund ta paguajnë.

Aleksandra Bogdanovska përshëndeti të pranishmit në emër të projektit JUFREX dhe theksoi se aktivitetet e projektit për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojnë deri në vitin 2022. “Në këtë fazë, ne do të përqendrohemi në mbrojtjen e gazetarë(e)ve, që është një element i ri për ne, për dallim nga faza e mëparshme, e cila mendoj se korrespondon me këtë temë,” tha Bogdanovska. Ajo shprehu shpresë se bashkëpunimi midis profesionistëve të mediave nga njëra anë dhe të gjithë profesionistëve të tjerë juridikë nga ana tjetër do të vazhdojë edhe në të ardhmen. “Këtu do të përfshihen edhe policët sepse jemi duke punuar në temën për mbrojtjen e gazetarë(e)ve, si dhe fakulteteve, në mënyrë që ta afrojmë këtë temë të rëndësishme pranë gjyqtarë(e)ve, avokatë(e)ve, prokurorë(e)ve, gazetarë(e)ve të ardhsh(me)ëm, etj”, tha Bogdanovska.

Gazetarja e Makfax-it, Meri Jordanovska ishte folësja e parë që u drejtua në uebinarin, duke theksuar se ajo shpesh ballafaqohej me kërcënime verbale, kërcënime me padi, presion për të mos publikuar lajme etj. “Më duhet të them që para se të dekriminalizohej shpifja dhe fyerja, pasojat ishin të ndryshme. Kam ndjerë ato pasoja prej në fillim të karrierës time. Gjegjësisht, më paditën kur shkruaja për pasurinë e Lençe Sofronievska, e cila ishte asokohe Kryetare e Këshillit Gjyqësor”, tha Jordanovska, duke shtuar se ajo ende ndjen pasojat. Duke kujtuar procesin gjyqësor, Jordanovska tha se ai ka zgjatur disa vjet, dhe në disa raste, policia ka ardhur për të marrë atë nga shtëpia për ta dërguar në seanca gjyqësore”. Në fund, pas shumë telefonatave, ne arritëm të biem dakord dhe të pajtohemi, ndërsa unë duhej të kërkoja falje për ato që kam shkruar”, tha ajo.

Jordanovska theksoi se në vendin tonë ka mungesë të procesimit të lëndëve nga institucionet pasi që zbulojnë gazetarët dyshime të caktuara për ndonjë krim të kryer. “Në vendin tonë, ai proces përfundon këtu. Do të hapni dyshime në opinion, menjëherë do të ju kërcënohen me padi dhe kjo do të përfundojë me kaq, sepse keni frikë të vazhdoni më tej”, tha ajo.

Sipas gazetares Jordanovska, nëse ka ndryshime ligjore në Ligjin për përgjegjësinë civile për shpifje dhe fyerje, atëherë ato duhet të përfshijnë procedura të tilla si: vetë-rregullimin, ndërmjetësimin, kërkesën për demant dhe kërkim të faljes. “Në këtë mënyrë, paditë do të përjashtoheshin sepse edhe pse shpifja dhe fyerja janë dekriminalizuar, seancat gjyqësore gjasin shumë, ndërsa kjo paraqet edhe presion ndaj gazetarëve,” tha ajo.

Pas gazetares Meri Jordanovska u drejtua gjykatësja nga Gjykata Themelore Civile – Shkup, Keti Germanova. Germanova tha se ajo fillimisht është përballur me problemin e praktikës së pabarabartë gjyqësore sa i përket asaj se kush mban përgjegjësi kur gjykata konstaton se është bërë shpifje ose fyerje, pasi internet portalet ishin përjashtuar nga ligji për media në vitin 2013. “Kjo çoi në marrjen e vendimeve të ndryshme në gjykatat në Republikën e Maqedonisë eë Veriut”, tha Germanova. “E gjithë kjo ishte arsye që departamentet civile të zhvillojnë një mbledhje pune në katër gjykatat e apelit nga vendi dhe nga muaji mars, u arrit një përfundim, sipas të cilit përgjegjësia për fyerje dhe shpifje qëndron te kryeredaktori i botimeve elektronike”, shtoi Germanova. Ajo përshëndeti Regjistrin e Online Mediave Profesionale (www.promedia.mk), duke thënë se do të ndihmojë shumë gjykatësit gjatë procesit të vendimmarrjes.

Folësi i fundit në këtë uebinar ishte avokati Lazar Sandev, i cili ka përfaqësuar një numër të madh gazetarësh para gjykatave në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, gjatë procesit të vendimmarrjes, gjyqtarët duhet gjithmonë të marrin parasysh kontekstin dhe përmbajtjen. “Kjo është e rëndësishme sepse ne si avokatë e dimë se si ta nxjerrim kontekstin nga përmbajtja,” tha ai, duke u bërë thirrje gjyqtarëve dhe prokurorëve publik që të jenë shumë të kujdesshëm kur punojnë në lëndë të tilla. Sa i përket identifikimit të gazetarëve dhe portaleve të internetit, Sandev theksoi se çdo portal në internet që kryen veprimtari profesionale dhe që përfiton nga puna e tij, duhet të konsiderohet si medium.

Pas fjalimeve të folësve, u hap një debat më i gjerë ku pjesëmarrësit patën mundësinë për të ndarë mendimet e tyre mbi temën. Disa nga pjesëmarrësit sugjeruan që proceset gjyqësore nuk duhet të zgjasin shumë, sepse në atë mënyrë paditësi nuk do të jetë në gjendje të marrë kënaqësinë morale, dhe nga ana tjetër, kjo do të bëjë presion mbi lirinë e shprehjes. U konstatua se, ndër të tjerash, ky problem është shkaktuar edhe nga mungesa e gjyqtarëve që punojnë në këtë lloj lëndësh. Në atë drejtim, u propozua krijimi i një departamenti profesional i cili do të punojë në raste që lidhen me shpifje dhe fyerje. Për më tepër, u propozua që ndryshimet në ligj të lejojnë gjykatën të hedhë poshtë paditë nëse konsideron se nuk ekzistojnë shkaqe të mjaftueshme për padi.

Në fund u paralajmërua edhe një ngjarje tjetër që do të organizohet në javët e ardhshme, ku konkluzionet e këtij uebinari do të shkëmbehen dhe plotësohen me përvoja ndërkombëtare dhe diskutime me pjesëmarrës nga institucione të tjera përkatëse siç është Ministria e Drejtësisë në lidhje me standardet përkatëse të Këshillit të Evropës.

Uebinari u organizua nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë si pjesë e aksionit që është pjesë e “Horizontal Facility për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II”, një program i përbashkët i BE-së / Këshillit të Evropës, i zbatuar nga Këshilli i Evropës me qëllim për të ndihmuar përdoruesit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe acquis të Bashkimit Evropian, si pjesë e procesit të zgjerimit, aty ku është e aplikueshme.

Ky tekst është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Pikëpamjet e shprehura në tekst nuk mund të konsiderohet se pasqyrojnë pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose Këshillit të Evropës.

Print Friendly, PDF & Email
Facebooktwitterlinkedin